Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë, merren nën hetim 4 zyrtarë të bashkisë. Policia: Neglizhuan detyrën

Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë, merren nën hetim 4 zyrtarë të bashkisë. Policia: Neglizhuan detyrën

Një ditë pas zjarrit masiv që përfshiu fushën e mbetjeve në Vlorë, policia e qytetit bregdetar ka referuar materialet në prokurori për disa zyrtarë.

Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se do të hetohen Drejtori i Ndërmarres së Pastrimit, disa përgjegjës të Bordit të Kullimit me detyrë manovratorë në këtë ndërmarrje.

Sipas bluve të Vlorës, këta zyrtarë kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit. Por teksa po hetohen këta zyrtarë, ende nuk sqarohet se nga çfarë u shkaktuan flakët dhe kush e vendosi zjarrin.

NJOFTIMI I POLICISË:

Referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. T., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, A. S., 36 vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit pranë Bashkisë Vlorë, L. D., 56 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe D. I., 35 vjeç, të tre me detyrë manovratorë në ndërmarrjen e Bordit të Kullimit të Bashkisë Vlorë, pasi më datë 07.06.2025, rreth orës 12:18, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, si pasojë e temperaturave të larta, ka rënë zjarr në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe shtetasit e sipërpërmendur kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit.

Një ditë më parë zjarri që përfshiu fushën e mbetjeve shkaktoi dëme të shumta në mjedis, ku reja e zezë e tymit mbuloi gjithë qytetin.

Pasi tymi u pa nga të gjithë qytetarët e turistët, reagoi dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, i cili paralajmëroi se kushdo që kishte shkelur ligjin do të përballej me pasojat.

Paralajmëroi dhe një kallëzim penal për secilin zyrtar që kishte neglizhuar detyrën dhe tashmë pasojat janë të qarta, 4 zyrtarët e bashkisë do të përballen me ligjin.