Vijon protesta për Zvërnecin, qytetarët kanë 5 kërkesa për qeverinë

Vijon protesta për Zvërnecin, qytetarët kanë 5 kërkesa për qeverinë

Mijëra qytetarë vijuan edhe këtë të martë protestën në mbrojtje të natyrës duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec. Në ditën e tretë të tubimit në Tirane, qytetarët marshuan nga sheshi Skënderbej te Kryeministria.

Gjatë tubimit organizatorët e protestës, treguan edhe kërkesat që kanë për qeverinë, duke nisur me dorëheqjen e saj e deri te anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.

Kjo protestë, e nisur si reagim ndaj cenimit të pronës dhe të pasurive kombëtare, paraqet këto kërkesa të qarta dhe të panegociueshme: Dorëheqjen e qeverisë; Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; Shfuqizimin e Paketës së Maleve; Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore”, citohet në deklaratë.

Sipas protestuesve këto nuk janë kërkesa partiake, por janë kërkesa për drejtësi, ligjshmëri dhe mbrojtjen e interesit kombëtar.

Ne nuk pranojmë negociata mbi të drejtat themelore të qytetarëve dhe mbi pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve. Sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohet në këtë përpjekje qytetare për t’i dhënë fund kësaj kaste politike të korruptuar”, vijon deklarata.

Grupi i koordinimit qytetar ka njoftuar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.