Prej më shumë se 72 orësh në banesat dhe bizneset e qytetarëve të Vlorës nuk shkon asnjë pikë ujë. Një defekt në tubacionin kryesor ka lënë gjithë qytetin pa ujë të pijshëm, ku situata orë pas ore po bëhet më kritike.
Pasi humbën shpresat e mund të kishin ujë në banesa, qytetarët e Vlorës i janë kthyer traditës së mbushjes së ujit me bidona në burimin e ujit të ftohtë.
Qindra qytetarë përgjatë ditës kanë shkuar në burimin e ujit të ftohtë dhe janë furnizuar me bidona, ndërsa spitali rajonal, ai psikiatrik, si dhe institucionet e veçanta janë furnizuar përmes autobotëve të zjarrfikëses.
Gjendja është bërë edhe më e vështirë, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet, edhe pse ditë festash, nuk kanë as ujë për t’u larë.
Banorët tregojnë se situata është e përsëtirur dhe e papranueshme. “Bridh ja me bidona. Punojmë në ndërtim dhe nuk bëjmë dot dush, jemi bërë për ibret, kemi tre ditë as larë as shpërlarë. Blejmë ujë me lekë që të lajmë enët”, pohon një prej tyre.
Ndërsa një tjetër shton se “po mbushim ujë këtu te uji i ftohtë, se Vlora ujë nuk ka. Katër ditë ikën sot.”
Ujësjellës Kanalizime Vlora me anë të njoftimi në mediat sociale ka bërë me dije se uji nuk do shkojë në rubinetat e banorëve edhe sot.
Sipas UKV defekti është i rëndë dhe furnizimi do të bëhet me autobotë të lëvizshëm deri në rregullimin e problemit.
Prej ditësh po punohet por edhe pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit.

