Në ditën e katërt pa ujë qytetarët e Vlorës dolën në protestë. Mbrëmja gala në teatrin “Petro Marko” u kthye në arenë proteste, duke prishur planin e bashkisë për një mbrëmje muzikore në vigjilie të vitit të ri.
Qindra banorë të organizuar në mediat sociale u mblodhën para teatrit si fillim dhe më pas arritën që të hynin edhe në sallën ku do të zhvillohej mbrëmja gala duke e anuluar festën e bashkisë.
Me thirrjet “duam ujë”, “poshtë qeveria” qindra qytetarë arritën që të hynin në sallën e teatrit dhe më pas bllokuan edhe bulevardin “Ismail Qemali”
Mungesa e theksuar e ujit ka shkaktuar problematika të mëdha, ku gjatë ditëve të fundit banorët janë detyruar që të mbushin ujë me bidona në burimet natyrore.
Protesta e banorëve është shoqëruar me tension, pasi policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar disa persona. Pavarësisht këtij tubimi të sotëm, qytetarët e Vlorës kanë njoftuar që do të dalin sërish nesër në protestë në orën 10:00 para godinës së bashkisë.

