Lejuan ndërtimet pa leje në zonë të mbrojtur në Butrint, Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq inspektorët dhe investitorët

Lejuan ndërtimet pa leje në zonë të mbrojtur në Butrint, Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq inspektorët dhe investitorët

Kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, tre vartës të tij dhe investitorët janë dërguar për gjykim, pasi akuzohen se kanë lejuar ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Prokuroria e Sarandës në një njoftim të përshpërndarë për mediat, sqaron se nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Sipas organit të akuzës, punonjësit e IVMT-së së Bashkisë Sarandë nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masave administrative, përfshirë vendosjen e gjobave.

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare” (të përditësuar), ndryshuar me VKM nr 187 datë 25.03.2021 “Rishikim”.

Lidhur me këtë hetim janë dërguar në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;

Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal;  Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.