Vlora pa ujë në festa, gala nën protesta-një leksion qytetar

Vlora pa ujë në festa, gala nën protesta-një leksion qytetar

Nga Agron Haxhimali/ Prej disa ditësh, Vlora përballet me mungesë të ujit të pijshëm, një situatë e papranueshme në çdo standard minimal të shërbimeve publike. Reagimi qytetar, deri në ndërprerjen e mbrëmjes gala të organizuar nga bashkia, ishte më shumë se një protestë spontane: ishte një leksion politik se shërbimet bazë nuk zëvendësohen me evente , drita dhe fasada.

Në këtë situatë, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm mungesa e ujit, por mungesa e qartësisë institucionale mbi përgjegjësinë. Sipas modelit aktual të riorganizimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është aksionari kryesor, duke kontrolluar 51% të aksioneve me të drejtë vote, përmes strukturave të saj dhe AKUM.

Kjo do të thotë se drejtimi strategjik, politikat kryesore dhe përgjegjësia e parë për funksionimin e shërbimit janë qendrore. Pikërisht për këtë arsye, ministria duhet të jetë zëri i parë publik për të sqaruar qytetarët se çfarë po ndodh, pse ka ndërprerje dhe kur pritet zgjidhja. Heshtja institucionale e aksionarit shumicë e bën krizën edhe më të rëndë.

Nga ana tjetër, fakti që Bashkia Vlorë, së bashku me bashkitë e tjera të qarkut, zotërojnë 49% të aksioneve, nuk i përjashton nga përgjegjësia. Pjesëmarrja në pronësi do të thotë edhe detyrim për të reaguar, për të informuar qytetarët dhe për të ushtruar presion institucional mbi aksionarin shumicë, edhe pse përgjgjesia e bashkise mbetet aty edhe me mungesën e shumicës vendimmarrëse.

Por problemi real është modeli i ndërtuar: një shërbim i centralizuar në vendimmarrje, por i decentralizuar në faj. Bashkitë mbeten adresa e parë e zemërimit qytetar, ndërsa pushteti real qëndron larg kamerave dhe përgjegjësisë publike.

Reformat në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve u premtuan si zgjidhje për borxhet, keqmenaxhimin dhe fragmentimin. Sot, për qytetarin, ato perceptohen si të dobëta dhe të largëta, sepse nuk kanë prodhuar siguri minimale: ujë të pandërprerë dhe cilësisht i pijshëm.

Reagimi i qytetarëve është një mësim i qartë: pavarësisht ndarjes së përgjegjësive institucionale. Për ta ka rëndësi vetëm një gjë-të marrin shërbimin bazë, ujin në rubinet.