Qytetarë e Vlorës për të dytën ditë me radhë dolën në protestë për mungesën e ujit. Premtimet e zyrtarëve nuk i bindën ndaj u dyndën këtë mëngjes në dyert e bashkisë ku kërkuan shpjegime pse nuk kanë ujë në banesat e tyre.
Opozita lokale, por edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë në mbështetje të tyre. Në një konferencë për mediat, Berisha pohoi de tubimi i qytetarëve vlonjatë është dinjitoz dhe legjitim.
“Dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitozë, për fibrën e tyre qytetare, që reaguan në mënyrën më të fuqishme, ua zunë galanë në fyt zyrtarëve makutë, që kanë vjedhur fondet e ujësjellësit dhe ishin mbledhur të festonin me to.
Qytetarë dhe qytetare, ju përjetoni padrejtësitë më të mëdha. Protesta juaj kundër regjimit është shpëtimtare për ju dhe për Shqipërinë. Uji nuk mungon vetëm në Vlorë, uji mungon në mbarë Shqipërinë. Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë, ushtrohet në çdo skaj të këtij vendi”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi qytetarët kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës për shkak të mungesës së ujit.
Teksa njofton se tubo e re që do mundësojë ujin po vjen nga Turqia, me ironi shkruan se “ka plasur syri keq” për qytetin duke shkaktuar këtë problematikë.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën.
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do t’i marrë”, shkruan Rama.

