Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka vijuar edhe përgjatë të enjtes në Vlorë, ku fokusi kryesor ka qenë në zonën e Lungomares, që është dhe zona më problematike.
Ky aksion vjen në zbatim të urdhrit të kreut të qeverisë që u la afat 15 ditë të gjithë strutkruave të Bashkisë Vlorë për të liruar të gjitha hapësirat e zaptuara nga bizneset në ktë zonë, por edhe në të gjithë qytetin.
Policia Bashkiake, Policia e Rendit dhe gjithë strukturat e tjera të bashkisë ishin në terren së bashku me titullarin e këtij institucioni për të vijuar aksionin.
Përgjatë gjithë ditës kanë hequr nga shëtitorja tenda të shumta, vetrata xhami, vazo lulesh dhe sende që kishin bllokuar kalimin e lirë të këmbësorëve në zonë.
Ermal Dredha, i cili këtë operacion nuk e konsideron si zbatim të urdhrit të Edi Ramës, pavarësisht se gjithçka nisi pas ultimatumit të tij, pohoi në një deklaratë për mediat se “është arritur një dakortësi me bizneset që të lirojnë atë pjesë të hapësirës publike që e kanë zaptuar me pajisje që mund të hiqen”.
Për strukturat që kërkohet shembje Dredha thotë se aksioni do të vijojë në Shtator, duke lënë dhe dy muaj kohë që bizneset në këtë zonë të punojnë gjatë sezonit turistik. Nga ana tjetër konfirmon se në shtator nis një projekt për unifikimin e strukturave të bizneseve në Lungomare.

