Një pjesë e segmentit të rrugës “Ali Demi” në Vlorë pritet që të pajiset me barriera metalike për të ndarë trotuarin nga korsitë e makinave.
Prej javësh në hyrje të kësaj rruge, përballë godinës së Bashkisë Vlorë qëndron një prej mjeteve që do përdoret për vendosjen e barrierave metalike, por punimet duket se po ecin me hapin e breshkës.
Aktualisht janë vendosur vetëm disa shtylla metalike, të cilat presin pjesët e tjera që të shndërrohen në barriera, por punëtorët nuk duken në terren.
Afatet për përfundimin e punimeve nuk janë shumë bujare me kompaninë që ka fituar tenderin, por ky fakt nuk ndryshon asgjë pasi banorët do të duhet të presin gjatë për të parë projektin e përfunduar.
Por këto punimet nuk janë të vetme që po zvarriten në Vlorë. Nëse ka një problem administrata e Bashkisë Vlorë është mosmbikëqyrja si duhet e punimeve dhe lejimi i zvarritjes së tyre.
Edhe më herët Gjurmon.al ka raportuar për këtë problem, që është shumë shqetësues për qytetarët, por sërish nuk ka asnjë reagim nga institucioni.

