VIDEO – Vëzhgim në Borsh, a po respektohet rregullorja e re për ndarjen e plazheve?

VIDEO – Vëzhgim në Borsh, a po respektohet rregullorja e re për ndarjen e plazheve?

Ndarja e hapësirave të plazheve çdo vit është kthyer në problem në vendin tonë. Ligjet dhe rregulloret gjithmonë kanë qenë në favor të publikut, por privati ka zënë pjesën më të madhe. Çadra të ngulura kudo, shezlonë që shkonin deri në det dhe mungesë e theksuar hapësire për publikun, kjo panoramë ka shoqëruar sezonin veror në Shqipëri.

Plazhi i Borshit

Për të zgjidhur këtë problem Qeveria në vjeshtën e vitit të kaluar, kur debati për atë që kishte ndodhur gjatë verës nuk ishte shuar ende, vendosi të miratojë një rregullore të re për mënyrën se si do ndaheshin plazhet për këtë sezon.

Rregullorja për ndarjen e plazheve

Sipas rregullores, prioritet do kenë hotelet dhe struktrurat e tjera akomoduese, por ndarja publik-privat duhet të jetë gati e barabartë.

Kur veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga subjekt privat, subjekti përmbush kriteret, si më poshtë: a) Të jetë i regjistruar si person fizik/tregtar apo juridik për ushtrimin e veprimtarisë, si strukturë akomoduese; b) Të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, me hapësirë plazhi para/në afërsi të strukturës akomoduese”, citohet në rregullore, e cila vijon me kriteret e tjera për të mos pasur detyrime karshi shtetit etj.

Por teksa sezoni turistik ka nisur vrullshëm këtë vit, ngjashëm ka vijuar edhe abuzimi me zaptimin e hapësirave të plazheve.  Gjurmon.al ishte në Borsh pak ditë më parë për të parë situatën në terren. Nga vëzhgimi i kryer rezulton se pika e parë e rregullores së sipër cituar nuk po respektohet.

Hapësira me çadra dhe shezlonë nuk kanë marrë vetëm ato biznese që janë struktura akomoduese, por si çdo vit tjetër plazhe tashmë kanë edhe restorantet e baret që janë buzë detit. Vetë adminstratorë të këtyre bizneseve pranojnë se kanë marrë hapësira për plazhe.

Plazhi i borshit

E kjo duket se ka ndodhur me vetëdije, pasi rregullorja nuk ka vetëm përjashtime, por edhe lehtësime. Në rastet kur njësitë vendore kanë kontrata me subjektet që shkojnë deri në vitin 2025, ato kontrata vijojnë edhe këtë sezon, edhe nëse nuk janë struktura akomoduese por vetëm aktivitet stacion plazhi”, kjo pikë e rregullores duket se ka shpëtuar shumë nga bizneset, të cilat vijojnë qetësisht edhe këtë sezon të kenë hapësira për plazhe.

Ndarja publik-privat

Mungesa e hapësira të plazheve publike, sidomos në Bashkinë Himarë u kthye në një problem madhor sesonin e shkuar, ndaj qeveria mendoi që edhe ku shqetësim të adresohej në rregulloren e re.

Ndarja e sipërfaqes së plazhit të lejuar, si plazh privat/publik, do të kryhet sipas gjatësisë në vijë lineare të hartës së propozuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse, në mënyrë perpendikulare me vijën e bregut të detit/liqenit, ku në çdo 1000 m vijë lineare, 300 m vijë linear plazh përcaktohen si parcela publike, shpërndarja e të cilave në hartë vlerësohet nga njësia e qeverisjes vendore, rast pas rasti, sipas tipologjisë së secilit plazh”, citohet në rregullore.

Nga vëzhgimi i Gjurmon.al rezulton se në Borsh në tërësi ky raport është ruajtur, pavarësisht se në pjesët publike të plazheve nuk ka asnjë kusht. Mungojnë koshat për mbetjet, mungojnë tualetet publike, dhomat e zhveshjes dhe çdo gjë tjetër bazike.

Edhe bashkitë do administrojnë plazhe?

Pak ditë pas miratimit të rregullores, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi  Komitetin e Menaxhimit të Sezonit Turistik në vijim të punës për miratimin e hartave të përditësuara për ushtrimin e veprimtarisë si “Stacion plazhi”.

Parimi i kësaj rregulloreje të re është që menaxhimi i një stacioni plazhi nuk është arsyeja kryesore për të bërë biznes. Është një aksesor, një atraksion shtesë, një shërbim shtesë për një biznes të konsoliduar në fushën e turizmit ku aktiviteti kryesor është akomodimi”, pohoi në atë kohë Kumbaro, por duket se situata në terren flet ndryshe sërish çadrat dhe shezlonët janë aktiviteti kryesor i bizneseve.

Sipas saj, do të duhet të kishte më shumë hapësira për publikun ku menaxhimi do bëhej nga bashkitë. Me rregulloren e re, bashkitë kanë mundësi të bëjnë vetë investime në “mobilimin” e plazheve nëse duan, pra të jenë bashkitë ato që ofrojnë shërbim me çadra dhe me shezlonë dhe sigurisht me një çmim shumë më të lirë dhe të akesueshëm për të gjitha kategoritë sociale, sesa plazhet e menaxhuara nga subjektet private”, pohonte Kumbaro, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Rojet bregdetare

Kullat e vrojtimit dhe rojet bregdetare kanë qenë gjithmonë një problem në plazhet e jugut.  Në shumë plazhe mungojnë si kullat dhe rojet brenda tyre, por duket se në këtë sezon nuk do kemi as kulla dhe as roje. Nga vëzhgimi i Gjurmon.al në vijën bregdetare të Borshit, konstatuam pak kulla vrojtimi, por brenda tyre nuk kishte roje.