Në një prej kthesave të rrugës panoramike Borsh-Qeparo, të gjithë turistët ndalojnë për të bërë fotografi. Pamja që ofrohet është magjike, ku i gjithë fshati i Borshit mund të fiksohet nga lentja e telefonit me një shkrepje.
Në muajt e verës është e vështirë të gjesh hapësira për të shkrepur një fotografi në këtë vend. Por siç ndodh zakonisht në vendin tonë bashkë me të mirat vijnë dhe të këqijat.
Kjo hapësirë prej kohësh është e mbushur me plehra, pasi turistët që ndalojnë zbrazin edhe mbetjet nga mjetet e tyre. Qese, bidona, ambalazhe produktesh të konservuara etj., gjenden lehtësisht në këtë vend.
Të vetëdijshëm për situatën, disa organizata dhe institucione kërkojë të sensibilizojnë situatën. Që nga GIZ gjerman e deri te Ministria e Mjedisit dhe Turizmit e Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura janë bërë bashkë për të dhënë mesazhin “Jo mbetje!”, por askush nuk i ka dëgjuar.
Nga ana tjetër duket se ka dhe një neglizhencë institucionale, pasi Bashkia Himarë nuk ka vendosur një kazan për mbetjet në këtë hapësirë për të reduktuar sadopak ndotjen.

