Tregtarët e tregut industrial në Vlorë janë ngritur në protestë. Shkak është bërë nisja e punimeve për rikonstruksionin e këtoj tregu, duke sjell pezullimin e punës për dhjetëra tregtarë.
Mëngjesin e kësaj të hëne, të gjithë tregtarët janë mbledhur para bashkisë dhe kanë kërkuar takim me zyrtarët e institucionit por kanë gjetur dyert mbyllur.
Tregtarët shprehen se nuk janë kundër rehabilitimit të tregut, por kundërshtojnë mungesën e një zgjidhjeje konkrete për vijimin e aktivitetit të tyre. Sipas tyre, autoritetet lokale nuk u kanë ofruar një hapësirë të përshtatshme ku të ushtrojnë tregtinë gjatë periudhës së punimeve.
Siç pohojnë ata vendet alternative të propozuara janë larg zonave të banuata dhe pa kushtet minimale, çka sipas tyre do të ndikonte drejtpërdrejt në të ardhurat dhe mbijetesën ekonomike të dhjetëra familjeve.
Tregtarët kanë shprehur edhe shqetësimin lidhur me produktet që kanë stok në makazina, që siç thonë nga policia bashkiake nuk u lejohet që të shkojnë dhe t’i tërheqin.
Tregtarët paralajmërojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk përjashtohet bllokimi i rrugës nëse nuk do të ketë reagim nga bashkia.
Mbyllja e tij vjen në kuadër të një projekti rehabilitimi të zonës pranë Sahatit, pjesë e planit për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit.

