Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka reaguar pas protestës së tregtarëve, të cilët u mblodhën këtë të hënë në dyert e bashkisë. Në një deklaratë për mediat, Mersini është shprehur se tregtarët janë njoftuar prej 5 muajsh për zhvendosjen e mallrave dhe lirimin e ambienteve, në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se është vënë në dispozicion një strukturë tjetër në zonën e Çoles, si edhe tregu industrial, ku tregtarët mund të ushtrojnë aktivitetin gjatë periudhës së rikonstruksionit.
“Që prej fundit të muajit dhjetor dhe fillimit të janarit, ne jemi takuar me tregtarët e fruta-perimeve dhe ata të tregut industrial, ku kemi kërkuar që, përmes takimeve, të gjenim një zgjidhje të përbashkët. Ka qenë e pamundur, pasi ata nuk kanë rënë dakord me njëri-tjetrin për zonat që u kemi përcaktuar.
Nga muaji shkurt, me vendim të Këshillit Bashkiak, u vendos që të funksionojnë dy tregje: një për fruta-perimet dhe një tjetër për tregun industrial, i cili aktualisht ka një pjesë ku operohet për tregun e fruta-perimeve me shumicë dhe një pjesë tjetër që është e përshtatshme për tregun industrial.
Rikonstruksioni i tregut i shërben vetë atyre dhe ka qenë shqetësim edhe i banorëve, pasi kushtet kanë qenë të pafavorshme. Ky investim është i domosdoshëm për të krijuar kushte më të mira dhe brenda një viti, që besoj do të jetë afati i përfundimit të rikonstruksionit, ata do të rikthehen në një treg të ri të rindërtuar.
Tregtarët janë njohur me vendimin e Këshillit Bashkiak dhe kanë pasur kohë të mjaftueshme për të marrë masa që prej muajit shkurt, kur janë zhvilluar edhe disa takime. Unë kam kërkuar të takohem me përfaqësuesit e tyre, por ata nuk kanë rënë dakord dhe nuk kanë arritur të caktojnë përfaqësues për t’u takuar me ne”, tha ajo.
Pavarësisht se kryebashkiakja pohon se tregtarët kanë disa vende ku mund të kryejnë aktivitetin e tyre, këta të fundit pohojnë se ambientet nuk janë të duhurat. Sipas tyre në asnjë prej ambienteve nuk plotëson kushtet minimale, ndaj dhe kanë premtuar vijimin e protestës deri në një zgjidhje përfundimtare për ta.

