Punimet në Pishë Poro – Nartë, IKMT: Po bëhen me leje, do të ndërtohen struktura hotelerie deri në 8 kate

Punimet në Pishë Poro – Nartë, IKMT: Po bëhen me leje, do të ndërtohen struktura hotelerie deri në 8 kate

Dy javë pas nisjes së punimeve që alarmuan organizatat mjedisore, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka reaguar për herë të parë. IKMT tregon qartë që nuk ka dashur të reagojë, por sqarimi ka ardhur vetëm pas interesit të medias.

Ky institucion bën me dije se ka kryer verifikimet në terren në Pishë Poro-Nartë dhe se nga verifikimet është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.

IKMT sqaron në një njoftim për mediat se “këto punime rezulton se po kryhen në bazë të Vendimit Nr.5, datë 29.04.2026 “Për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Leja e sipër cituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’”, sqarohet më tej në reagimin për mediat.

IKMT pranon se në këtë zonë do të ndërtohen struktura hotelerie, ku godinat do të jenë deri në 8 kate të larta.

Subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 Kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development Sh.P.K”, citohen në njoftim.

Ndërtimi i strukturave hoteliere është paralajmëruar edhe nga ministri i Mjedisit, i cili pohoi se në zona të tilla mund të kryhen ndërtime.