Dy persona mbetën të plagosur rëndë mesditën e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit, pas një konflikti të armatosur mes disa individëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 dhe ka tronditur qytetin bregdetar në kulmin e sezonit turistik. Sipas burimeve zyrtare, viktimat janë identifikuar si Ernest Lama, 24 vjeç, dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, të dy nga Kamza, të cilët po qëndronin në Sarandë për pushime.
Të plagosurit u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Sarandës dhe më pas, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, u nisën me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë së Sarandës dhe repartit special FNSH nisën një operacion në terren për kapjen e autorëve. Në vendin e ngjarjes u gjetën katër gëzhoja pistolete si dhe një çantë e braktisur që dyshohet të përmbajë një armë zjarri.
Autorët e dyshuar të plagosjes janë dy vëllezër, Ramadan Zoto (i njohur edhe si Ramadan Canaj), 43 vjeç, dhe Erjon Canaj, 35 vjeç, të dy banues në Sarandë. Ata janë shpallur në kërkim nga policia dhe konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë.
Ramadan Zoto/Canaj rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë i përfshirë në një përplasje të armatosur me policinë greke dhe aktualisht është nën hetim edhe në Shqipëri për “goditje për shkak të detyrës”, pasi më parë ka dhunuar një punonjës të policisë bashkiake.
Ndërkohë, vëllai i tij, Erjon Canaj, rezulton të jetë arrestuar në vitin 2022 për dhunimin e rojes së Spitalit të Sarandës dhe sërish në vitin 2024 për armëmbajtje pa leje. Në rastin e fundit, ai është shpallur i pafajshëm nga gjykata.
Policia po vijon kërkimet në zonë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik, veçanërisht në një zonë turistike ku siguria është thelbësore në këtë periudhë të vitit.

