VIDEO – Plazhi i Hidrovorit, perla e fshehur e natyrës që po dëmtohet nga vizitorët

VIDEO – Plazhi i Hidrovorit, perla e fshehur e natyrës që po dëmtohet nga vizitorët

Të gjithë turistët që shkojnë në Lagunën e Nartës, ndalen vetëm te bukuritë e saj dhe nuk vizitojnë bregun e detit. Por pas pyllit me pisha ndodhet një plazh, i cili është po aq i bukur sa laguna.

I njohur nga të gjithë si Plazhi i Hidrovorit, ky plazh njihet për bukuritë e tij natyrore, rërën kurative dhe dallgët që janë shumë të përshtatshme për të ushtruar sportin e sërfit.

Vizitorët që zgjedhin që të pushojnë në këtë plazh janë të paktë, kjo dhe për shkak të rrugës që është shumë e vështirë për të shkuar. Në këtë plazh gjen pak shërbime, lokale që të kthejnë pas në kohë, pushues që zgjedhin të shijojnë gatimet e shtëpisë në plazh dhe hapësira për të vendosur çadrën personale.

Por pavarësisht se plazhi njihet si i virgjër, sërish çadra të vendosura nga subjekte private gjen edhe këtu. Bukuritë e këtij plazhi po dëmtohen nga të paktët vizitorë që marrin mundimin për të udhëtuar gati 2 orë në një rrugë të amortizuar, pasi rëra kishte mbetje të konsiderueshme.

Gjurmon.al po ju sjell pamje nga ky plazh i virgjër, ku duket qartë se vizitorët nuk kujdesen për të ardhmen. Nga ana tjetër edhe autoritetet nuk janë kujdesur që në këtë hapësirë, që shfrytëzohet nga shumë turistë të ketë kazan për mbetjet.