Banorët e Tragjasit, Orikumit, Dukatit dhe Radhimës janë bërë bashkë. Të mbledhur në atë që ata e quajnë “Kuvendi Komunitar i Krahinës”, banorët e këtyre 4 fshatrave kanë diskutuar për shqetësimet e të gjithë zonës, duke nisur nga shembjet që po bën Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit e deri të marrja e ujit për fshatrat turistikë në Palasë e Dhërmi.
“Kuvendi Kominitar Hrahinor”, zhvilloi një mbledhje pasditen e së premtes, ku kanë dalë me një qëndrim se prishja e godinave të tyre në Llogara bëhet për shkak se pronat e tyre do t’u jepen investitorëve të mëdhenj.
Sipas një prej organizatorëve të takimit, Edvioll Kullurit, ky kuvend është një vazhdimësi e “Kuvendit të Dukatit” që është krijuar që në vitin 2010.
“Këtë kuvend e kam krijuar për t’u bërë bashkë banorët e krahinës. IKMT-në do ta thyejmë, dhe nëse duhet, edhe me përplasje fizike. Fillimisht do të ecim me peticion dhe kallëzime në drejtësi, por duhet të jemi të përgatitur të krijojmë struktura që do të përballen fizikisht me uniformat e policisë për të mbrojtur pronat tona”, pohoi ai.
Në mediat sociale ky komunitet bën thirrje për të gjithë trupin diplomatik në vend dhe ngrenë një sërë shqetësimesh që lidhen me pronën, ku sipas tyre veprimet e shtetit synojnë shpërngujnen e tyre nga toka e të parëve.
“Ne, komuniteti i banorëve të vjetër e legjitimë të krahinës Dukat-Tragjas-Radhime-Orikum të mbledhur tashmë në Kuvend Komunitar, ndihemi të kërcënuar për shpërngulje, shpërndarje e shpopullim të imponuar, gjë që do të na sterminonte tërësisht si komunitet duke na shpërndarë në të katër anët e botës, në kushte pasigurie dhe pamundësie ekonomike dhe të drejtash politike, prandaj kërkojmë prej jush të njihen, të mbrohen, të zhvillohen dhe të sigurohen të drejtat tona të nëpërkëmbura prej 33 vjetësh, por të rrezikuara më shumë në mënyrë akute këto 5-6 vitet e fundit dhe veçanërisht në muajt e fundit që po flasim, kohë kur po kërkojnë të na sterminojnë me dhunë nga krahina jonë, duke e finalizuar gjithë këtë dhunë shumëvjeçare me disa operacione ku po keqpërdoren prej tyre institucionet për të na shkatërruar përfundimisht të drejtat në mënyrë finale e të pariparueshme. Si dhe të vendosen përpara drejtësisë e të marrin dënimin e merituar të gjithë anëtarët e kësaj organizate kriminale të institucionalizuar që po i shkaktojnë këto dëmtime e vuajtje të padrejta komunitetit tonë”, është kjo një pjesë e deklaratës së tyre të shpërndarë në mediat sociale.
Banorët e këtyre fshatrave bëjnë me dije se do të vijojnë të jenë të organizuar dhe do të kundërshtojnë veprimet e autorietet që synojnë tjetërsimin e pronave të tyre.

