Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukrurës dhe Energjisë, ku bëhet me dije se tashmë tuneli i Llogarasë do të kalohet me pagesë.
Tarifat janë të ndara në pesë kategori të ndryshme automjetesh, me çmime që variojnë nga 100 lekë deri në 5,000 lekë. Të gjitha tarifat e përcaktuara përfshijnë edhe TVSH-në.
Skema e pagesës sipas llojit të automjetit:
100 lekë: për motoçikleta dhe mjete të ngjashme me dy rrota.
250 lekë: për makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta të shpërndarjes (dy boshte, lartësi deri në 1.30 metra).
500 lekë: për makinat e pasagjerëve me rimorkio ose karavan (më shumë se dy boshte, lartësi deri në 1.30 metra).
1,000 lekë: për furgonë, minibusë dhe automjete të mesme (dy ose më shumë boshte, lartësi mbi 1.30 metra).
5,000 lekë: për automjetet e rënda me tre ose më shumë boshte, si autobusë dhe kamionë me shumë rimorkio (lartësi mbi 1.30 metra).
Tarifat me parapagim (abonim) për përdoruesit e rregullt do të përcaktohen gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi. Në kuadër të sigurisë, udhëzimi ndalon prerazi përdorimin e Tunelit të Llogorasë nga mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme.
Udhëzimi i ri përcakton gjithashtu një listë automjetesh dhe përdoruesish që përjashtohen plotësisht nga pagesa, kryesisht kur janë në kryerje të detyrës funksionale: Policia Rrugore, autoambulancat dhe forcat zjarrfikëse. Mjetet ushtarake dhe ato të NATO-s.
Mjetet e punonjësve të ARRSH-së ose Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë detyrave. Personat që gëzojnë statusin e invalidit, kur automjetet i përdorin për nevoja personale.

