Ndotja e detit është një nga problemet që është raportuar disa herë nga Gjurmon.al. Me anë të vëzhgimeve në terren, intervistave me banorët por edhe denoncimet e tyre e kemi pasqyruar këtë problem, por duket se autoritetet ende nuk e kanë zgjidhur plotësisht.
Pak javë më parë një prej kanaleve me ujëra të zeza që derdhej në det u mbyll, por një banor i Vlorës i cili jeton dhe punon në Itali ka publikuar një video ku denoncon sërish problemin e ndotje së detit.
Qytetari në videomesazhin e tij, pohon se shpreson që të nxisë ndërgjegjësimin publik dhe të nisë një lëvizje kundër kësaj padrejtësie mjedisore. Apeli i tij është një thirrje për bashkinë e Vlorës që të marrë masa për të mbrojtur pasurinë natyrore të Vlorës, e cila sipas tij, po shkatërrohet në heshtje.
“Ja Vlora, shiko si derdhen ujërat e zeza. Bëni ndonjë gjë, ju lutem…. Qelb era… Do të bëjë ndonjë gjë shteti apo jo? Sa gjynah”, shprehet qytetari teksa tregon katastrofën mjedisor.

