Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës

Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës

Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk disponon asnjë avion apo helikopter të dedikuar për shuarjen e zjarreve nga ajri. Kjo është deklarata alarmante e ekspertit të pushtetit vendor, Agron Haxhimali, i cili ka ngritur shqetësimin për mungesën e kapaciteteve ajrore në përballimin e emergjencave që lidhen me flakët gjithnjë e më të shpeshta gjatë verës.

Çdo vit, vendi përballet me dhjetëra vatra zjarri që përfshijnë pyje, kullota, vreshta dhe madje edhe zona të banuara. Në mungesë të një flote ajrore vendase, autoritetet shqiptare varen plotësisht nga ndihma ndërkombëtare dhe angazhimi i mjeteve të huaja, kryesisht nëpërmjet mekanizmave të BE-së dhe fqinjëve ballkanikë.

Në një krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet qartazi më e pambrojtura:

  • Kroacia ka në dispozicion 12 avionë zjarrfikës, për 3,9 milion banorë dhe një territor prej 56,600 km².

  • Mali i Zi, me vetëm 620 mijë banorë dhe një sipërfaqe prej 13,800 km², ka 5 mjete fluturuese të specializuara.

  • Maqedonia e Veriut ka 2 avionë tip Air Tractor, për një popullsi prej rreth 1,8 milion banorë dhe 25,700 km².

  • Shqipëria, me 2,4 milion banorë dhe 28,700 km², nuk ka asnjë avion zjarrfikës.

Statistikat janë të qarta: Mali i Zi ka një avion për çdo 124 mijë banorë dhe një për çdo 2,760 km², Kroacia një për çdo 325 mijë banorë dhe një për çdo 4,716 km², ndërsa Maqedonia një për çdo 900 mijë banorë dhe 12,850 km². Shqipëria, në ndryshim nga këta, ka zero.

Haxhimali e cilëson këtë boshllëk si një problem strategjik për sigurinë dhe mbrojtjen civile të vendit, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve klimatike që kanë rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarret. Ai nënvizon se “pa një flotë ajrore funksionale, Shqipëria do të jetë gjithmonë në pozitë të dobët përballë emergjencave natyrore dhe e detyruar të kërkojë ndihmë.”

Në këtë kontekst, ai bën thirrje që investimet në një flotë ajrore, por edhe në logjistikë dhe kapacitete tokësore për emergjencat, të jenë pjesë e një strategjie afatgjatë për mbrojtjen e territorit dhe jetës së qytetarëve.

Me muajt e nxehtë të verës që kulmojnë dhe zjarret që tashmë janë evidentuar në disa zona, kjo mungesë e theksuar e kapaciteteve ajrore është më shumë se një statistikë: është një rrezik i drejtpërdrejtë për Shqipërinë.