Zjarret në qarkun e Vlorës drejt normalizimit – Më pak vatra aktive sipas sistemit satelitor të NASA-s

Zjarret në qarkun e Vlorës drejt normalizimit – Më pak vatra aktive sipas sistemit satelitor të NASA-s

Pas disa ditësh përfshirë nga zjarre masive, qarku i Vlorës po shënon një ulje të dukshme të aktivitetit të flakëve në territor. Sipas të dhënave të përditësuara nga NASA, përmes sistemit FIRMS (Fire Information for Resource Management System), krahasuar me hartën satelitore të orëve të mëparshme, vatrat aktive të evidentuara në 24 orët e fundit janë reduktuar.

Pamja e parë satelitore, që regjistron gjendjen e zjarreve më 28 korrik 2025 në orët e para të ditës, tregon një përhapje të gjerë të flakëve në një hark që nis nga zona midis Delvinës dhe Finiqit dhe zbret drejt kufirit me Greqinë. Gjithashtu, ishin aktive edhe disa vatra në pjesën kodrinore pranë Sarandës, me rrezik për përhapje në drejtim të bregdetit dhe zonave të banuara.

Në përditësimin e bërë brenda 24 orëve, sipas imazhit të dytë të siguruar nga FIRMS, rezulton se disa nga këto vatra janë shuar ose kanë humbur intensitetin, duke treguar një tendencë qetësimi të situatës. Në mënyrë të veçantë, zona veri-perëndimore e qarkut, ku më herët ishin raportuar disa shpërthime zjarri pranë vijës bregdetare dhe në kodrat e Vurgut, shfaqet tashmë me më pak pika aktive.

Megjithëse situata paraqitet më e qetë, ende mbeten të rrezikuara disa territore në jug të qarkut, sidomos në kufirin mes bashkive Finiq dhe Konispol, ku vijojnë të raportohen disa vatra në terrene të vështira dhe me akses të kufizuar për ndërhyrje tokësore.