Teksa sezoni turistik ka nisur dhe bizneset janë duke u munduar që të thithin sa më shumë turistë, autoritetet mendojnë të kundërtën. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion të gjerë në Jug të vendit, po po shemb disa godina pa leje.
Godinat pa leje ndodhen shumë pranë bregdetit, ku tashmë fadromat e IKMT do të bashkëjetojnë me turistët që kanë nisur të mbushin plazhet në Vlorë, Himarë e Sarandë.
Që prej mëngjesit të sotëm fadromat dhe makineritë e rënda janë parë duke punuar në disa prej destinacioneve më të njohura, ndërsa prania e tyre ka krijuar jo pak shqetësim mes pushuesve.
Zhurma dhe kaosi ka mbizotëruar gjatë ditës sotme, duke treguar edhe njëherë një panoramë të shëmtuar për turistët. Operatorët turistikë janë shprehur të pakënaqur, duke theksuar se aksioni duhet të ishte realizuar përpara hapjes së sezonit, për të shmangur ndikimin negativ tek vizitorët dhe ekonomia lokale.
Sipas tyre vendimi i IKMT dhe autoriteteve të tjera është i gabuar dhe do të sjell dëme të parikuperueshme për këtë sezon turistik. Por pavarësisht pakënaqësive nga operatorët turistikë dhe nga pushuesit, autoritetet kanë theksuar se ndërhyrjet janë të domosdoshme për të ndaluar ndërtimet e paligjshme dhe për të mbrojtur territorin.
Shembja e ndërtimeve pa leje, protesta janë Jalë
Aksioni i IKMT nuk është mirëpritur nga banorët dhe bizneset në zonët e Jalit në Himarë. Teksa inspektorët bashkë me makineritë e rënda janë shfaqur në fshat banorët janë mbledhur për të ndaluar shembjen e godinave pa leje.
IKMT, sipas raportimeve, ka paralajmëruar pronarët e objekteve se kanë afat deri ditën e nesërme për t’u zhvendosur, por ata kanë pohuar se nuk do të lejojnë të shembet asnjë godinë. “Nuk i lirojmë, kjo është vrasje. Po na hiqni bukën e fëmijëve nga goja”, është shprehur i revoltuar një banorë.
Aksioni i shembjeve u parapri nga shkarkimet
Ende pa nisur aksioni për shembjen e godinave në bregdet, kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, firmosi urdhrin për shkarkimin e 5 punonjësve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe drejtuesit të kësaj drejtorie
Mësohet se shkarkimi i tyre është bërë për shkak se nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore për të ndalur ndërtimet pa leje në zonë. Sipas informacioneve dyshohet se këta zyrtarë në këmbim të favoreve të ndryshme kanë lejuar ngritjen e godinave pa leje.
IKMT e humbur në gjykatë
Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit është një nga institucionet që ka më shumë gjyqe të humbura përballë qytetarëve. Vendimet e kësaj strukture si në nivel qendror dhe lokal janë rrëzuar me vendime gjykatash, ku qyterarë të shumtë janë dëmshpërblyer me para apo ndërtimet e tyre i kanë rezistuar fadromave.
Bazuar në dokumentet e marra në përgjigje të kërkesave për informacion nga gjykatat administrative Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Gjurmon.al konstatoi se IKMT në katër vite (2019-2022) humbi gjysmën e çështjeve në të cilat ishte palë.
Të dhënat tregojnë se IKMT humbi 79 nga 159 çështje që u shqyrtuan nga gjykatat administrative. Vendimet tregojnë se në shumë raste, IKMT nuk paraqiti prova në gjykatë për të dëshmuar paligjshmërinë e subjekteve të sanksionuara dhe në raste të tjera aktet e përpiluara prej inspektoriatit u gjetën të pavlefshme.

