Organizta mjedisore “Mjedisi.al” denoncoi një ndotje të konsiderueshme me naftë në ujërat mes Gjirit të Gramës dhe Gjirit të Dafinës, në bregdetin jugor të Shqipërisë. Sipas denoncimit të bërë në rrjete sociale, rreth një orë pasi një traget i madh kaloi në këtë zonë, duke lëvizur nga jugu drejt veriut, u vunë re njolla të mëdha me naftë në sipërfaqen e detit Jon.
Në pamjet e publikuara nga “Mjedisi.al”, shfaqen qartë shtresa të dendura dhe me ngjyra të përziera që mbulojnë sipërfaqen e ujit, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin në mjedisin detar dhe biodiversitetin lokal.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet portuale apo institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit.
Ky incident shton shqetësimet për menaxhimin e ndotjeve detare në një zonë të njohur për vlerat e saj natyrore dhe potencialin turistik, veçanërisht në prag të sezonit veror.
Mbetet për t’u parë nëse institucionet do të ndërmarrin veprime konkrete për të identifikuar ndotësin dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

