“Nuk kemi ujë”, banorët e Nartës dalin në protestë: Të zgjidhet me urgjencë problemi

“Nuk kemi ujë”, banorët e Nartës dalin në protestë: Të zgjidhet me urgjencë problemi

Banorët e fshatit Nartë kanë prostestuar për të disatën herë për mungesën e ujit të pijshëm. Me bidona në duar ata u mblodhën në qendër të fshatit për të kërkuar zgjidhje për problemin që po vijon prej muajsh.

Banorët shprehen se prej rreth tre muajsh furnizimi me ujë është bërë thuajse i pamundur, duke u reduktuar nga 24 orë që ishte dikur, në vetëm pesë minuta në mëngjes dhe pesë minuta pasdite.

Për shkak të mungesës së ujit, banorët detyrohen ta mbushin atë në varrezën e fshatit, duke zënë radhën me bidona që herët në mëngjes, për të siguruar sasinë minimale pasi edhe në këtë burim uji vjen më pak se një orë.

Të gjithë banorët e Nartës iu drejtuan me një kërkesë Bashkisë së Vlorës, Prefekturës dhe Ujësjellësit, ndërsa paralajmërojnë se do t’i drejtohen me peticion edhe Kryeministrit për të zgjidhur këtë problem.

Kjo nuk është protesta e parë e tyre, pasi edhe më herë kanë pasur organizime të ngjashme pasi problemi me ujin vijon prej muajsh. Pavarësisht ngritjes së zërit prej tyre ende nuk ka një zgjidhje afatgjatë nga Ujësjellësi vlorë.