Dy muaj pa marrë pagat, punonjëset e pastrimit në spitalin psikiatrik Vlorë dalin në protestë

Dy muaj pa marrë pagat, punonjëset e pastrimit në spitalin psikiatrik Vlorë dalin në protestë

Punonjëset e pastrimit në spitalin psikiatrik Vlorë kanë dalë në protestë për kushte më të mira pune. 25 sanitaret e spitalit “Ali Mihali” kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura, kontratë pune, korrigjim të pagesave të kryera më herë në bankë dhe kushte më të mira pune ku një prej tyre është rritja e pagesës.

Këto punonjëse kanë 2 muaj pa marrë pagesat e tyre edhe pse punojnë në kushte të vështira, ndaj kanë dalë në protestë dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Kërkesa e tyre për takim me drejtuesit e spitalit dhe me përfaqësues së kompanisë private që menaxhon pastrimin në këtë spital është refuzuar, ndaj kjo kërkesë u bë edhe publikisht.

Sanitaret kanë pohuan se keqpaguhen, pasi marrin vetëm pagë minimale, por edhe kjo pagesë nuk po u jepet prej dy muajsh. Ato janë shprehur se nga administrata e spitalit janë kërcënuar me largim nga puna, pasi kanë kërkuar të drejtat e tyre.

Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona: kontratën e punës, deklarimin e plotë të pagës, pagesën e festave dhe të ditëve të pushimit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa na takon me ligj”, këto janë kërkesat e tyre.

Ndërkohë Inspektoriati Shtetëror i Punës i kontaktuar nga mediat, pohon se do të shkojnë për inspektim në spital për të parë nga afër situatën dhe për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa nga vetë drejtoria e Spitalit nuk ka përgjigje, duke ia kaluar përgjegjësinë firmës private të kontraktuar për shërbimin e sanitareve.

Të ndodhura në këto kushte, ku nuk marrin përgjigje nga asnjë prej drejtuesve, sanitare kanë pohuar se do të bojkotojnë punën nëse nuk marrin zgjidhje.