Një ditë pasi banorët e Nartës dolën në protestë dhe kërkuan furnizim të rregullt me ujë, drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Ermal Murati ka pranuar problemin dhe premton sërish zgjidhje.
Në një deklaratë për mediat, Murati u shpreh se është në dijeni të të gjithë problematikës së banorëve, por thotë se vetëm një pjesë nuk furnizohet dhe jo e gjithë Narta siç pretenduan banorët.
“Jemi vënë në dijeni dhe kemi informacion për mungesën e ujit në disa familje. Duhet të kuptojmë që Narta ashtu edhe i gjithë qyteti në muajin gusht është në kulmin e saj. Ky nuk është një problem i ri, por ka vite. Rrjeti është i amortizuar dhe këtë situatë e vuajnë disa familje në zonat fundore. Kjo situatë në muajin gusht kur narta është në numrin më të lartë të banorëve, kjo situatë nuk është në muajt e tjerë por muaji Gusht e ka këtë karakterisitikë”, pohoi Murati.
Drejtori i ujësjellësit pohoi se për Nartën është gati për zbatim një projekt për të mos pasur probleme me furnizimin e ujit, por deri në arritjen e finalizimit të ujësjellësit të ri do të përdoren autobotet.
“Deri në zbatimin e këtij projekti, situata do të monitorohet nga afër dhe familjet në vështirësi do të mbështeten me autobote”, theksoi Murati.
Ndërkohë, banorët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi mungesa e ujit të pijshëm është kthyer në një problem të përditshëm, veçanërisht gjatë muajve të verës kur kërkesa rritet ndjeshëm.

