“Një kurth vdekjeje në zemër të Parkut Kombëtar”: CEO i Riverwatch, flet për Gjurmon.al mbi ndotjen dramatike në Vjosë

“Një kurth vdekjeje në zemër të Parkut Kombëtar”: CEO i Riverwatch, flet për Gjurmon.al mbi ndotjen dramatike në Vjosë

Vjosa, lumi i fundit i egër në Evropë dhe tashmë si park kombëtar po përballet me një katastrofë mjedisore që sipas aktivistëve rrezikon vetë ekzistencën e këtij thesari natyror. Ulrich Eichelmann, CEO i organizatës Riverwatch dhe një prej zërave më të fortë në mbrojtje të lumenjve të egër në Europë, denoncon ashpër gjendjen alarmante në Vjosë dhe thotë se situata është përkeqësuar edhe pas shpalljes së parkut kombëtar.

“Ajo që kemi vlerësuar nuk është vetëm katastrofa e naftës, por një panoramë e plotë e presioneve që po ushtrohen mbi Vjosën. Më shumë se dy vite pas krijimit të Parkut Kombëtar, shumë prej këtyre problemeve jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por janë përkeqësuar,” deklaron Eichelmann.

Sipas tij, ndotja nga nafta është vetëm “më e dukshmja dhe më e çmendura”, por nuk është e vetmja. Marrja e ujit nga lumi në mënyrë masive, gërryerja e shtratit për zhavorr, depozitimi i bitumit dhe prania e mbetjeve plastike janë vetëm disa nga plagët që rëndojnë mbi Vjosën. Ai shton se edhe pse ekziston një plan menaxhimi për lumin, nuk ka shenja që ky plan po zbatohet.

“Ka plane menaxhimi, por nuk kemi asnjë shenjë që ato po zbatohen. Dhe pastaj nafta… të derdhësh naftë drejt e në lumë? Kjo është marrëzi,” thotë ai.

Aktivisti austriak përshkruan me tone të forta gjendjen në terren, ku sipas tij situata i ngjan një zone të djegur industriale: “Çdo gjë është e djegur, kaput. Kontejnerë të shkatërruar, makina të shkatërruara, tubacione që rrjedhin, nafta që shpërndahet. Është çmenduri.”

Por ai shkon më tej, duke e përshkruar një nga përrenjtë si një “kurth vdekjeje”.

“Ky përrua është si një perde nafte që kafshët nuk mund ta kalojnë. Gjetëm një gjarpër të ngordhur që kishte tentuar të kalonte. Nuk mundet. Ngordhin menjëherë. Ka zogj të ngordhur. Sapo e prek, nuk del dot më. Nuk është ujë. Është si një varr. Të kap brenda,” shprehet Eichelmann.

Ai ngre shqetësimin se ndotja nuk ndalet në përroin e ndotur, por përhapet në të gjithë Vjosën, duke prekur edhe Adriatikun.

“Kjo rrjedhje nafte është si një rrjedhje e madhe industriale që vazhdon pa ndërprerje. Imagjino një tubacion që sjell vazhdimisht naftë në një lumë,” paralajmëron ai, duke shtuar se kjo përbën edhe një rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë përgjatë lumit dhe ushqehen me peshkun e tij.

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, Eichelmann shpreh zhgënjim për mënyrën se si është trajtuar bashkëpunimi nga autoritetet shqiptare.

“Ne kemi ofruar gjithmonë mbështetje, por gjithnjë e më shumë, ajo nuk është mirëpritur. Dhe kjo është në rregull – nuk kemi problem me këtë – por dua të shoh gjërat të ndodhin, kushdo që i bën ato,” thotë ai.

Sipas tij, ndërkombëtarisht ekziston vullneti për të ndihmuar, madje nëse Shqipëria do të kërkonte ndihmë për restaurimin e lumit apo reduktimin e bllokimit të ujit, mbështetja do të vinte menjëherë. Por ai thekson se:

“Hapi i parë duhet të vijë nga qeveria shqiptare.”

Ulrich Eichelmann vëren se qeveria shqiptare po e përdor Parkun Kombëtar të Vjosës kryesisht për qëllime imazhi dhe promovimi turistik, duke u përpjekur të paraqesë Shqipërinë si një destinacion ekologjik dhe miqësor me natyrën.

“Duket qartë se ata po promovojnë Parkun Kombëtar për të tërhequr turistë dhe për ta shitur idenë se Shqipëria është bërë e gjelbër dhe ekologjike. Por kjo nuk është e vërtetë. Ajo që ndodh në terren është e kundërta – një shkatërrim i heshtur, që po e përdhos gjithë këtë pasuri natyrore,” thekson ai.

Ulrich Eichelmann përfundon me një paralajmërim të qartë: nëse qeveria nuk zgjidh këtë krizë, kjo është një shenjë shumë e keqe për të ardhmen e Vjosës – dhe për pretendimin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.