Shqetësimi i ngritur prej kohësh nga Gjurmon.al lidhur me ndotjen e detit në zonën e Lungomares duket se po merr zgjidhje. Pak ditë pas publikimit të lajmit tonë për kanalët e ujërave të zeza qe qëndronin të hapura dhe ndosnin detin, ka nisur puna për mbylljen e tyre.
Bashkia Vlorë dhe institucionet në varësi të saj, ditët e fundit kanë nisur të mbyllin këto kanale dhe kanë tërhequr ujin e ndotur që ishte një problem serioz për qytetarët.
Gjatë gjithë vijës bregdetare që përshkohet nga projekti “Lungomare 1”, nga zona e portit deri në “Ujë të ftohtë”, janë gati 10 kanale të tilla, të cilat ishin kthyer në burim ndotja për plazhin.
Pas shqetësimit të ngritur nga banorët dhe të transmetuar nga Gjurmon.al, autoritetet kanë reaguar duke i mbyllur. Pavarësisht këtij aksioni nuk dihet ende nëse mbyllja do të jetë përfundimtare dhe ka pasur devijime të ujërave të zeza në tubacionet e qytetit.
Pavarësisht kësaj pune, problemi i ndotjes së detit në Vlorë do të vijojë, pasi qindra metra më tej në plazhin e vjetër ka ende kanale të hapura që derdhin në det ujëra të ndotura.

