Pak ditë më parë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga ministri i punëve të Brendshme, Ervin Hoxhaj, vizituan Vlorën ku u pritën nga kreu i bashkisë, Ermal Dredha.
Vizita në Vlorë shërbeu për të parë nga afër masat që janë marrë për sezonin turistik dhe ndarjen e hapësirave për plazhe. Inspektimi u përqendrua më shumë në zonën që Bashkia Vlorë e ka rezervuar për plazh publik, ku ka vendosur dhe çadra për pushuesit, të cilat janë falas.

Kreu i bashkisë u mundua të tregonte vetëm anët pozitive të këtij investimi, duke përmendur çadrat dhe dushet, si dhe rampën për personat me aftësi të kufizuar. Por problemi qëndron te rojet e plazhit, që në këtë hapësirë mungojnë.
Gjurmon.al vizitoi këtë plazh pak ditë më parë dhe rezulton se një tabelë në hyrje të plazhit sinjalizon të gjithë pushuesit se duhet të kenë kujdes, pasi roje nuk ka.
Por ky nuk është i vetmi plazh në Vlorë dhe gjithë jugun që nuk ka roje bregdetare, të shumta janë plazhet që mungon ky element sigure. Sipas vëzhgimit tonë, në shumë plazhe ekzistojnë dhe kullat e vrojtimit, por që nuk ngjitet askush në tonë për të vëzhguar pushuesit në det nëse kanë nvojë për ndihmë.

