Pak kilometra e ndajnë Hysoverdhin nga rruga e lumit të Vlorës, e cila është investuar pak vite më parë, por për shkak të rrugës distanca duket shumë e largët.

Fshati Hysoverdh, ndodhet jo shumë larg Kotës, qendër administrative në Bashkinë Selenicë. Banorët tashmë janë të paktë në këtë fshat, mungon shkolla, qendra shëndetësore dhe çdo shërbim tjetër.
Dikur në këtë fshat me disa lagje jetonin me dhjetëra familje, kishte edhe shkollë si dhe qendër shëndetësore. Por në këtë fshat investimet kanë munguar prej vitesh, rruga është degraduar me kalimin e kohës dhe tashmë duket plotësisht e amortizuar.

Bashkia Selenicë pak vite më parë ka investuar pak në rrugën që lidh Hysoverdhin me Kotën, për të afruar edhe banorët e këtij fshati me Vlorën, por duket se investimi për nivelimin e segmentit rrugor me disa kamion çakëll nuk mjafton.
Shirat e vjeshtës dhe mjetet e rënda bujqësore që kalojnë atkanë kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme. Banorët shprehen se janë lënë në harresë nga autoritetet.

Sipas tyre nëse investohet te rruga situata mund të ndryshojë, banorët ndoshta edhe mund të kthehen për të investuar në bujqësi, e po ashtu të kenë më shumë akses në shërbime.

