Nga Ina Zhupa*/ Gjatë takimeve dhe bisedave me sipërmarrës, operatorë turistikë dhe qytetarë, një gjë ishte e përbashkët për të gjithë: sezoni turistik i këtij viti nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe në pritshmëritë e tyre. Viti 2025 ka qenë më i dobët se 2024, i cili vetë kishte qenë më i dobët se 2023. Tendenca është negative dhe shqetësuese.
Edhe profili i turistëve që kanë frekuentuar zonën ka ndryshuar ndjeshëm. Kryesisht turistë me një çantë në krah, që nuk kanë kontribuar në ekonominë lokale. Ata kanë përdorur shërbimet bazike, si marketet, fast food-et por nuk kanë konsumuar në restorante lokale, nuk kanë marrë shërbime, nuk kanë krijuar ekonomi në komunitet. Shumë pak ndikim real në jetën ekonomike të qytetit.
Disa probleme thelbësore që po largojnë turistët dhe po ndikojnë negativisht në përvojën e tyre, duke bërë që shumë prej tyre të mos rikthehen më dhe të mos e rekomandojnë Sarandën si destinacion janë:
Një qytet pa një parkim publik funksional, ku kaos me makinat është bërë pjesë e përditshme. Mungesa e ujit të pijshëm, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e turpshme. Keqmenaxhimi i mbetjeve, plehra të shpërndara nëpër qytet dhe rrugicat e plazheve, është një tjetër plagë e turizmit vendas.
Trafiku i rënduar dhe mungesa e qarkullimit normal në zonat më të frekuentuara, gjë që krijon stres dhe largon çdo ndjenjë pushimi. Për të orientuar turizmin drejt një modeli që prodhon ekonomi dhe rrit mirëqenien lokale, duhet një strategji e re dhe më e qëndrueshme.
Duhen investime reale në përmirësimin e jetës së banorëve që do coj edhe në përmirësimin e kushteve për turistët. Gjithashtu të promovohet një turizëm me vlerë të shtuar, kulturor, gastronomik, aventurë dhe natyrë që tërheq vizitorë me më shumë kapacitet shpenzues. Synimi duhet jetë turizëm gjithë vjetor që rrit ekonominë lokale.
*Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, qarku Vlorë

