“Kemi dy muaj pa ujë”, banorët e Babicës të harruar nga autoritetet

“Kemi dy muaj pa ujë”, banorët e Babicës të harruar nga autoritetet
Fshati Babicë ndodhet shumë pranë Vlorës, është aq afër sa mund të konsiderohet edhe si lagje e qytetit. Nga qendra e Vlorës e deri në qendër të Babicës janë pak kilometra për t’u përshkuar, që mund të arrihen edhe me këmbë.
Pavarësisht kësaj distance të shkurtër, shërbimet që marrin banorët lënë shumë për të dëshiruar. Prej javësh në rubinetat e banesave të Babicës mungon uji.
Banorët e këtij fshati ankohen se edhe kur vjen uji, nuk është i mjaftueshëm. “Kemi dy muaj që nuk kemi ujë, jemi ankuar por nuk na dëgjon askush”, shprehet një banor.
“Uji mungon, edhe kur vjen nuk është i mjaftueshëm. Po blejmë ujë me bote, kushton 2000 Lekë. Është shumë shtrenjt dhe nuk ja dalim dot”, pohon një tjetër banor i fshatit. Kjo situatë është e përsëritur, por askush nuk po e zgjidh këtë problem.