Ndërtimi në Pishë Poro – Nartë, përfaqësues të BE dhe vendeve anëtare njohin nga afër situatën

Ndërtimi në Pishë Poro – Nartë, përfaqësues të BE dhe vendeve anëtare njohin nga afër situatën

Ndërtimi në peisazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë ka ngjallur shumë debate, ku shoqatat mjedisore dhe qytetarët e kanë kundërshtuar. Reagimet nuk kanë ardhur vetëm nga shoqatat vendase, por edhe ato të huaja duke kërkuar transparencë për projektin dhe respektim të ligjit.

Ndërkohë ndërtimi në Pishë Poro – Nartë ka marrë vëmendje edhe të Bashkimit Evropian, ku zyrtarë të saj kanë shkuar për ta parë nga afër situatën në terren.

Lajmi është bërë me dije nga PPNEA, ku bën me dije se përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian dhe disa vendeve anëtare të BE-së, vizituan Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë me qëllim njohjen nga afër të situatës aktuale në terren.

Gjatë vizitës, pjesëmarrësit patën mundësinë të konstatojnë drejtpërdrejt ndërhyrjet dhe zhvillimet që po prekin këtë ekosistem të ndjeshëm, si edhe ndikimet që ato po sjellin mbi habitatet natyrore, biodiversitetin dhe vlerat ekologjike të zonës së mbrojtur”, shkruan PPNEA.

Siç njoftohet “vizita shërbeu për të vlerësuar nga afër gjendjen e Peizazhit të Mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe për të evidentuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit ekologjik të një prej zonave më të rëndësishme natyrore bregdetare në Shqipëri”.