“Kërkojmë transparencë”, aktivistë dhe qytetarë protestë për Pishë Poro – Nartë

“Kërkojmë transparencë”, aktivistë dhe qytetarë protestë për Pishë Poro – Nartë

Qindra qytetarë dhe aktivistë nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar këtë të shtunë në zonën e Hidrovorit, kundër ndërtimit brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë. Me pankarta në duar dhe me thirrje për transparencë, aktivistët dhe qytetarët kanë marshuar rreth gardhit metalik të kantierit.

Protesta që në nisje të saj nuk ishte e qetë, pasi protestuesit u ndeshën me persona të paidentifikuar që qëndronin brenda gardhit metalik dhe nuk lejuan marshimin e qytetarëve.

Në hyrje të kantierit është vendosur gardhi metalik dhe një portë, e cila ruhet 24 orë në ditë dhe askush nuk mund të futet brenda pyllit të Hidrovorit, i cili deri pak ditë më parë mund të vizitohej prej çdokujt. 

Tensionet kulmuan kur protestuesit arritën të hapnin portën dhe hynë brenda në kantier, ndërkohë një pjesë tjetër e protestuesve shembën gardhin metalik. Një prej protestueseve ishte edhe një banore e zonës, Brunela Mërtiti, e cila pohopi se toka e rrethuar i përket familjes së saj.

Kjo është toka jonë, toka e babait tim. Nuk ia merr dot njeri detin. Unë do të flasë sa të kem fuqi, kjo tokë është e jona dhe askush nuk mund të na i marrë”, tha e revoltuar e reja Brunela Mërtiri.

Nga ana tjetër aktivisti Ervin Goci, pjesëmarrës në këtë protestë kundërshtoi ndërtimin, duke thënë se prona është si pasaporta. “Është të të marrin pasaportën e të qenurit shqiptar. Kur të merr natyrën, kur të merr tokën, territorin, kur të merr peizazhin, kur të merr atë emër me të cilën, ti me çdo njeri që takon të huaj i thua çfarë natyre ka Shqipëria”, u shpreh Goci.

Ndërtimi në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro – Nartë ka nisur pak javë më parë, por institucionet nuk kanë shpjeguar se çfarë do të ndërtohet në këtë zonë. Sipas IKMT në Hidrovor po ndërtohen kompania me aksionerë të huaj “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila do të ngrejë aty godina për hoteleri.