Një kroçerë me 375 turistë ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Vlorë. Kroçera Silver Whisper me flamur të Bahamasit nuk arriti që të ankorohej dot në port.
Kjo për shkak të punimeve që po vijojnë në port, duke detyruar turistët që të zbresin me varkë dhe të vizitojnë në këtë mënyrë Vlorën.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar dhe kreu i PD Vlorë, Atird Hoxha, i cili fajin e gjen te qeveria.
“Sot, babëzia e Ramës & Ballukut, e përforcuar nga “vizioni” i Samir Manes, i ka kthyer portet tona në kantiere kullash shumëkatëshe.
Kroçera me turistë që zgjodhi Vlorën si destinacion në këto ditë të bukura vjeshte nuk mundi të ankorohej në port, sepse ai është zaptuar nga skrepa dhe kamionë ndërtimi për t’u dhënë jetë 18 ose më shumë objekteve.
Në vend që të mirëpriten, siç i takon një qyteti turistik, turistët u detyruan të zbresin me motobarka, sikur të vizitonin një zonë të pashkelur, e jo një qytet bregdetar që dikur krenoheshim ta quanim “Skelë e parë në Europë””, është ky postimi i Hoxhës në mediat sociale.

