Pa asnjë surprizë, Këshilli Bashkiak i Vlorës zgjodhi pasuesin e Ermal Dredhës në krye të bashkisë. Elis Halili, nënkryetari i zgjedhur një ditë para se Dredha të jepte dorëheqjen është komanduar në krye të institucionit.
Por votimi nuk ka shkuar i qetë, për shkak se këshilltarët e opozitës kanë ngritur pretendime se po shkelej rregullorja. Sipas tyre votimi duhej bërë i fshehtë dhe në garë të ishin të gjithë nënkryetarët, por kërkesa e tyre nuk është pranuar dhe në fund votimi u bë i hapur dhe opozitarët braktisën sallën.
Halili pas votëbesimit nga këshilltarët e Partisë Socialiste ka premtuar vijimin e projekteve për ta bërë Vlorën një qytet më të mirë.
“Do të doja që në këtë sallë të ishin të gjithë këshilltarët. Dua të kuptoni që të gjithë në këtë sallë janë qytetarë të Vlorës. Unë jam Elis Halili kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Vlorës. Jam inxhinier ndërtimit. Prej 7 vjetësh në qytetin e Vlorës. Kam drejtuar dhe kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve të këtij qyteti. Për mua është kënaqësi dhe detyrim që të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak më kanë besuar për të qenë një nga nënkryetarët për të drejtuar bashkinë në këtë periudhë tranzitore. Fokusi ynë kryesor gjatë kësaj periudhe tranzitore do jetë në zbatueshmërinë e të gjithë projekteve që e bëjnë më të mirë jetesën e të gjithë qytetarëve”, ishte kjo deklarata e parë e Halilit.

