Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kallëzim në SPAK për komandimin e kreut të bashkisë

Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kallëzim në SPAK për komandimin e kreut të bashkisë

Nga fjalët te veprimet. Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak në Vlorë do të kërkojnë nga SPAK hetimin e kolegëve të tyre, pasi i akuzojnë se kanë shkelur ligjin kur kanë marrë vendimin për komandimin e kryetarit të ri të Bashkisë Vlorë, Elis Halili.

Sipas tyre “kallëzimi lidhet me procedurën e ndjekur për votimin dhe miratimin e ligjshmërisë në lidhje me kryetarin e komanduar të Bashkisë Vlorë”. “Sipas vlerësimit tonë, ky proces është realizuar në kundërshtim me ligjin dhe përbën elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, duke cenuar rëndë parimet e ligjshmërisë dhe funksionimit të pushtetit vendor”, shprehen kallëzuesit në një komunikatë për mediat.

Gjithashtu, në kallëzim përfshihet edhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, i parashikuar nga neni 245/1 I Kodit Penal, në lidhje me veprimet e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Blendi Çuçi.

Opozita në Këshillin Bashkiak Vlorë mbetet e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të garantuar respektimin e ligjit dhe transparencën në qeverisjen vendore, duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse të veprojnë me paanësi dhe në përputhje me detyrimet kushtetuese e ligjore”, mbyllet njoftimi për mediat.