Një grupim aktivistësh, të njohur si Aleanca Qytetare për Vlorës do të protestojnë këtë të mërkurë me kërkesën e bërë të ditur kohë më parë, heqjen e dy TEC-eve lundrues nga gjiri i Vlorës.
Aktivisti Lavdosh Ferruni në disa postime në mediat sociale, teksa ka bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë tubim që do të jetë në formën e marshimit ka treguar edhe detaje nga ky organizim.
Ferruni ka bërë me dije se protesta do të nisë nga Prefektura Vlorë, ku do të mbahet edhe një konferencë për mediat në orën 08:00 dhe më pas do të marshohet drejt Triportit, ku janë dhe dy TEC-et lundrues.
Aktivistë të ndryshëm janë shprehur pro këtij tubimi, ku kanë njoftuar edhe pjesëmarrjen e tyre. Një prej tyre është Andi Tepelena, i cili në një postim në mediat sociale fton edhe qytetarët të bashkohen.
“Më datë 6 Gusht do t’i bashkohem protestës të thirrur nga Aleanca Qytetare për Vlorën për të larguar nga Porti i Peshkimit në Zvërnec dy anije “TEC” lundruese të ndryshkura nga Bangladeshi që jo vetëm ndotin në mënyrë të pakthyeshme bregdetin e Vlorës, por falë një skeme korruptive qeveritare i zhvasin shqiptarëve 94 mijë Euro në ditë, kot, pa prodhuar asnjë kilovat energji.
Shteti Shqiptar ka paguar 250 milionë euro për dy anijet nga Bangladeshi që janë vendosur në Zvërnec për të prodhuar energji elektrike prodhimi i së cilave nuk tejkalon as 3 ditë konsumi të Shqipërisë. Falë protestave qytetare u ndalua importi i mbetjeve, po falë protestave do të hiqen dhe këto 2 mbetje qe ja kalojnë mbetjeve normale”, shkruan Tepelena.

