Sinjalistika në rrugën e Lumit të Vlorës me probleme, mund të shkaktojë aksidente

Sinjalistika në rrugën e Lumit të Vlorës me probleme, mund të shkaktojë aksidente

Rruga e Lumit të Vlorës e ndërtuar vitet e fundit po frekuentohet çdo sezon nga shumë turistë. Me mijëra janë turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin këtë segment për të shkuar në destinacionet e tyre, në plazhet e jugut.

Teksa turistët shtohen, frika e banorëve të fshatrave që përshkohen nga kjo rrugë shtohet gjithashtu, pasi mjetet kalojnë me shpejtësi të konsiderueshme.

Për të kufizuar shpejtësinë në disa fshatra janë vendosur “polica të shtrirë”, duke i sinjalizuar edhe me tabela pak metra para tyre.

Por në fshatin Kallarat “policat e shtrirë” mund të kthehen në burim aksidenti, pasi sinjalistika vertikale nuk komunikon me atë horizontale.

Teksa të gjithë kalimtarët hyjnë në fshatin Kallarat përballen me një tabelë që kufizon shpejtësinë deri ne 60 kilometra në orë, por sapo kalojnë këtë tabelë befas shfaqen policët e shtrirë që kërkojnë një ulje të menjëhershme shpejtësie.

Kjo problematikë ka disa kohë që ekziston, ku nuk kanë munguar as incidentet, pasi të gjitha mjetet janë të detyruara ose të kalojnë me shpejtësi “policët e shtrirë”, ose të rrezikojnë përplasjen nga mjetet që vijnë pas tyre.

Ndaj kërkohet ndërhyrje emergjente në këtë segment, duke hequr ose “policët e shtrirë” ose tabelën që lejon lëvizjen deri në 60 kilometra në orë.