Hapësirat mes pallateve në Vlorë zaptohen si “parkime private”, policia nis aksion për lirimin e tyre pas ankesave të banorëve

Hapësirat mes pallateve në Vlorë zaptohen si “parkime private”, policia nis aksion për lirimin e tyre pas ankesave të banorëve

Të gjesh një parkim në Vlorë në muaj e verës është thuajse e pamundur. Ka pak hapësira anash rrugëve që janë dedikuar për parkim, e po ashtu banoret përdorin dhe hapësira mes pallateve për të lënë mjetet e tyre.

Por në shumë raste këto hapësira mes pallateve janë shndërruar në “prona private”, ku një tra në hyrjectë rrugicave ndalon banorët dhe vizitorët e Vlorës që të parkojnë mjetet e tyre.

Shumë banorë janë ankuar në redaksinë e Gjurmon.al për këtë problem, që sipas tyre është kthyer në një shqetësim madhor, pasi ka vetëm dy mundësi “ose të debatojmë me zaptuesit, ose të lëmë mjetet në rrugë dhe të marrim gjobat”, shprehet një prej denoncuesve.

“Nuk gjen vend në hapësirat mes pallateve, ne jemi banorë të zonës dhe përballemi me tra të vendosur në çdo shesh, kjo situatë sa po vjen e përkeqësohet”, shtoi banori për Gjurmon.al, duke shigjetuar dhe autoritetet për mosreagim ndaj këtij fenomeni.

Jemi ankuar në polici dhe bashki, por situata vijon të jetë e njëjtë”, pohoi qytetari.

Policia nis aksionin

Problemi i banorëve të Vlorës tashmë është dhe shqetësim për turistët, pasi një pjesë e madhe e shtëpive që jepen me qera, por edhe hoteleve në zonën e Lungomares nuk kanë parkime.

Teksa në Vlorë turistët sa po vijnë e po shtohen, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike.

Në një njoftim për mediat, blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se është “proceduar penalisht një shtetas që kishte zaptuar këtë hapësirë, duke e kthyer në parkim privat, në mënyrë të kundërligjshme”.

Njoftimi i policisë zbulon edhe se problemi nuk janë vetëm qytetarët që mundohem të përfitojnë nga e përbashkëta, por edhe zyrtarët e Bashkisë Vlorë.

Pas këtij aksioni është “proceduar penalisht edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’”.

Lungomare, shqetësimi më i madh

Nisja e sezonit turistik ka bërë që popullsia të përqendrohet më shumë në zonën e Lungomares në Vlorë. Ndaj dhe aksioni i policisë nisi pikërisht në këtë zonë, duke liruar hapësira që i takojnë të gjithë qytetarëve e jo një apo disa individëve.

“Gjatë kontrolleve, në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë për ta shfrytëzuar si parkim privat me qëllim përfitimin e të ardhurave”, bën me dije policia duke shtuar shtetasi i cili kishte zënë këtë hapësirë akuzohet për dy vepra penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ky aksion nuk duhet të jetë i fundit pasi pjesa më e madhe e Vlorës e ka këtë problem, ku sheshet mes pallateve por edhe parkimet anës rrugëve të ndryshme janë “mollë e ndaluar”, pasi duhet të paguash që të parkosh makinën.

Policia në komunikatën për shtyp bën me dije se ky nuk do jetë aksioni i fundit duke theksuar se “mbetet e angazhuar për garantimin e hapësirave publike dhe nuk do të tolerojë asnjë rast shfrytëzimi të tyre në mënyrë të paligjshme. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112”.