Projekti për rijetëzimin e kompleksit sportiv “Flamurtari”, ka përfshirë në debate këshilltarët e opozitës dhe mazhorancës në Këshillin Bashkiak Vlorë. Projekti i cili prej kohësh ishte në sirtaret e bashkisë dhe që u arrit të miratohej këtë të hënë ka qenë prej kohësh i diskutuar në qytetin bregdetar.
Sipas drejtuesve të institucionit me përfundimin e këtij projekti Vlora do të ketë një zhvillim shumë të madh, por sipas opozitës qytetit po i bëhet dëm. Këshilltarët e opozitës ngritën shqetësime për mënyrën e përdorimit të truallit publik dhe përfitimet që qyteti do të ketë nga ky investim.
“O Ermal, duhet bërë vetëm stadiumi dhe pallati i sportit, jo stadium me kulla. Për çfarë arsye bëhen këto kulla? 60 mijë metra katrorë zë stadiumi, ndërsa 175 mijë metra është gjithë ndërtimi”, deklaroi përfaqësuesi i Partisë Demokratike.
Por kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, pohoi se projekti për klubin “Flamurtari” është një moment historik për transformimin e qytetit dhe se bashkia do të dalë e fituar.
“Ka një logjikë ekonomike, sidomos kur bëhet fjalë për partneritet publik-privat. Bashkia Vlorë do të marrë 45% të investimit. Nuk mund të paragjykojmë sot ndarjen, pasi nuk ka dalë ende leja e ndërtimit. Ka struktura që kanë degraduar prej vitesh, si pishina apo pallati i sportit. Ky është një investim i ri që i jep frymëmarrje qytetit”, tha Dredha.
Por 45% i investimit për opozitarët duket se është pikëpyetja e madhe në këtë projekt, pasi sipas tyre nuk dihet ende se 45% të cilit ndërtim do të marrë bashkia, të stadiumit apo edhe kullave që do të ngrihen rreth stadiumit.
Për opozitën shqetësim është edhe pjesa e banesave rreth stafiumit, pasi nuk parashikpohet se ku do të shkojnë banorët e kësaj zone kur të zbatohet investimi.
“Çfarë do të ndodhë me 87 objektet rreth stadiumit? A do shemben? A do dalin njerëzit në rrugë për investitorët strategjikë?”, vijoi Atird Hoxha.
Pas diskutimeve dhe polemikave të shumta, projekti u miratua me votim të hapur ku 30 këshilltarë votuan 30 pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

