Evidencat e fundit të çeljes së vezëve të breshkave të detit në dunat e Nartës janë një lajm i mrekullueshëm për pasurinë tonë natyrore dhe për vlerat e jashtëzakonshme ekologjike që ka gjithë zona e deltës së Vjosës. Teksa gëzohemi për hapat e parë të të vegjëlve drejt detit, në prapaskenë, pikërisht në të njëjtat habitate ku natyra krijon mrekulli, po hidhen themelet për beton luksi.
Projektet e Kushnerit për ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit u bënë publik mbi një vit më parë, me bekimin e autoriteteve të vendit, edhe pse planifikohen në Zona të Mbrojtura dhe me rëndësi ndërkombëtare për biodiversitetin.
Breshkat e detit janë ndër krijesat më të lashta, të pranishme në oqeane për miliona vite. Nga shtatë lloje që ekzistojnë në botë, tre janë regjistruar në brigjet shqiptare të Adriatikut dhe Jonit: breshka kokëmadhe (Caretta caretta), breshka e gjelbër (Chelonia mydas) dhe breshka lëkurore (Dermochelys coriacea), kjo e fundit shumë e rrallë në ujërat tanë.
Dunat janë mburoja natyrore e bregdetit, ato mbajnë rërën të qëndrueshme dhe mbrojnë tokën nga dallgët dhe erozioni. Pa to, folezimi i breshkave dhe shumë specieve të tjera vihet në rrezik.
Breshkat kalojnë pjesën më të madhe të jetës në det dhe dalin në tokë vetëm për të lëshuar vezët gjatë sezonit të folezimit. Suksesi i riprodhimit të tyre varet nga ruajtja e habitatit, masat mbrojtëse dhe shmangia e ndërhyrjeve njerëzore.
Falë monitorimit të PPNEA-s, në vitet e fundit janë identifikuar disa plazhe të përshtatshme për folezim, përfshirë dunat e Lagunës së Nartës, ku janë regjistruar raste të folezimit të Caretta caretta. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për biodiversitetin tonë, pasi tregon se edhe brigjet shqiptare janë pjesë e rrjetit të vendeve kyçe për riprodhimin e këtij lloji të rrezikuar globalisht. Por këto zona janë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe çdo ndërhyrje e pakontrolluar, rrezikon të shkatërrojë përgjithmonë këto habitate.
Shkrim i publikuar në faqen e PPNEA në Facebook

