Me pankartat në duar që mbanin mbishkrimet “Duam rrugë”, “Nuk presim më”, “Kërkojmë investime” etj., banorët e fshatrave Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjinë, Verbas dhe Vërmik janë ngritur këtë të diel në protestë.
Segmenti rrugor që është lënë në harresë duke izoluar këto fshatra nuk është më shumë se 20 kilometër i gjatë, por prej vitesh nuk po shikon investime. Të ndodhur në kushtet kur premtimet harrohen pas zgjedhjeve, banorët e 5 fshatrave që i përkasin Bashkisë Selenicë janë bashkuar në një protestë paqësore me bllokimin e rrugës për disa minuta.

“Kjo protestë na përket ne dhe vetëm ne. 35 vite kjo krahinë është në mjerim, në harresë. Si ka mundësi që 35 vite ne kemi qenë të harruar, të pavlerësuar, si ka mundësi që pushteti vendor dhe qendror heshtin para nesh“, u shpreh një protestues.
“Ku të besojmë, ku të shkojmë e ta kërkojmë këtë të drejtë. Të vetmen mundësi që kemi, ne duhet të protestojmë derisa të zgjedhim të vërtetën tonë. Protesta jonë paqësore ka si bashkëpunim me pushtetin lokal e qendror që të kthejnë sytë nga ne dhe të na bëjnë rrugën. Këta po tallen me ne dhe duan të tallen me ne“, pohoi një tjetër protestues.

Banorët pohuan se prej vitesh kanë kërkuar investime për këtë segment rrugor, gjithmonë iu është premtuar zgjidhje, por rruga vetëm amotrizuar. Kjo ka ndikuar sipas tyre edhe në braktisjen e zonës, ku të paktë janë banorët që vijojnë të jetojnë këto 6 fshatra.

Në protestën e zhvilluar në hyrje të segmentit rrugor, ku është edhe degëzimi i rrugës së Lumit të Vlorës ata kanë treguar edhe kontrastin mes dy segmenteve. Po ashtu banorët kanë premtuar vijim të protestave të tyre nëse nuk dëgjohen nga autoritetet lokale dhe qendrore.

