Kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, tre vartës të tij dhe investitorët janë dërguar për gjykim, pasi akuzohen se kanë lejuar ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Prokuroria e Sarandës në një njoftim të përshpërndarë për mediat, sqaron se nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Sipas organit të akuzës, punonjësit e IVMT-së së Bashkisë Sarandë nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masave administrative, përfshirë vendosjen e gjobave.
Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare” (të përditësuar), ndryshuar me VKM nr 187 datë 25.03.2021 “Rishikim”.
Lidhur me këtë hetim janë dërguar në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;
Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal; Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

