Ngjarja e rëndë, humb jetën 23-vjeçarja nga Holanda teksa zbriste shkëmbin në Himarë

Ngjarja e rëndë, humb jetën 23-vjeçarja nga Holanda teksa zbriste shkëmbin në Himarë

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së mërkurës në vendin e quajtur, plazhi i filikurit në Himarë. Një turiste e cila po tentonte që të shkonte në këtë plazh ka humbur jetën pasi ka rënë nga lartësia e shkëmbit.

Sipas informacioneve, turista ka qenë bashkë me disa miq të saj, që kishin ardhur për disa ditë pushimi në Shqipëri dhe po tentonin që të zbrisnin nga shkëmbi për të shkuar në plazhin e Filikurit.

Por aventura këtë herë ka rezultuar fatale për 23-vjeçaren me origjinë nga Holanda, e cila ka rrëshkitur aksidentalisht dhe ka humbur jetën nga plagët e marra.

Mësohet se një bashkëudhëtar i saj ka tentuar që ta mbajë në momentin që ka rrëshkitur, duke i kapur dorën, por nuk ka mundur dot dhe e reja ka rënë nga 30 metra lartësi. Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, një shtetase franceze.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë strukturat e Policisë së Himarës, policia kufitare Forcat zjarrfikësit dhe një ambulancë, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga zona e vështirë shkëmbore.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vendin e quajtur “Gjiri i Filikur”, dyshohet se gjatë zbritjes nga shkëmbi me litar, është rrëzuar aksidentalisht shtetasja holandeze M. B., 23 vjeçe, të cilës iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua me ndihmën e Policisë Kufitare, por për shkak të dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, si pasojë e rrëshqitjes së disa gurëve në momentin e ngjarjes, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, shtetasja franceze J. L., 18 vjeçe, e cila ndodhej në afërsi.  Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Himarës pavarësisht njoftimit për ngjarjen dhe premtimit se kjo ngjarje do të hetohet, por nuk sqaron nëse kata turistë ishin duke udhëtuar me guidë apo kishin marrë iniciativë vetjake për të sfiduar natyrën.

E nëse turistët kanë pasur dhe guidë ngjarja bëhet më e rëndë dhe rikthehet sërish debati për sigurinë. A respektohet rregullat në vendin tonë apo guidat punojnë edhe pa licenca.