Energji nuk prodhojnë, por TEC-et lundrues vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit

Energji nuk prodhojnë, por TEC-et lundrues vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit

TEC-et lundrues në Vlorë që prej më shumë se 3 vitesh po qëndrojnë në zonën e Triportit por nuk po prodhojnë energji, do të gërryejnë edhe më shumë buxhetin e shtetit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur së fundmi një tender, që kërkon të sigurojë asetet e TEC-it lundrues në Vlorë për një vit me një fond limit prej 174 milionë lekë apo 1.74 milionë euro.

Sipas publikimeve në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike tenderi me objekt “Përfitimi i shërbimit të sigurimit të Asetit – Tec Lundrues, Vlorë”, pritet t’u kushtojë taksapaguesve më shumë se 1.7 milionë Euro.

Dokumentacionit bashkëlidhur me tenderin sqarojnë se sigurimi do të bëhet për anijen dhe makineritë, por edhe për mbrojtjen si dhe dëmshpërblimi dhe sigurimi  përgjegjësisë së përgjithshme për palën e tretë.

Tek të dhënat shtesë KESH nënvizon se aktualisht vlera e tregut e aseteve është 15 milionë USD dhe se numri i ekuipazhit në infrastrukturë është 55 persona. Menaxheri teknik që ka operim dhe mirëmbajtje është Renci Spark shpk kurse emri I kompanisë së siguruar që zotëron asetet Exelerate Renci FPB shpk.

Pse erdhën TEC-et lundrues në Vlorë

Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe. KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie (TEC-et lundrues) dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues.