“Të lësh kockat në Filikur” është titulli tronditës i shkrimit që mjekja kirurge Lida Shosha ka ndarë publikisht, pas një tragjedie të rëndë që ajo vetë përjetoi sot në bregdetin e Himarës. Teksa ndodhej me familjen në një udhëtim me skaf për të vizituar plazhet e zonës, Shosha u bë dëshmitare dhe pjesëmarrëse në përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën e një turisteje hollandeze 23-vjeçare, e cila humbi jetën tragjikisht pasi ra nga një shkëmb i lartë mbi plazhin e Filikutit.
Në një përshkrim rrënqethës, mjekja rrëfen si vajza kishte rënë nga një lartësi prej më shumë se 30 metrash, duke pësuar dëmtime fatale në kokë dhe fytyrë, me fraktura të shumta dhe humbje të theksuar gjaku. “Ishin infermierë të huaj dhe një mjeke italiane që i bënin masazh kardiak, por dëmtimet ishin të papajtueshme me jetën. E ndihmuam sa mundëm, por e dija që nuk mund të shpëtonte,” shkruan Shosha.
Fatkeqësisht, nuk ishte viktima e parë në këtë zonë. Vetëm pak javë më parë një tjetër turiste nga Holanda humbi jetën në të njëjtin vend, ndërsa një braziliane u plagos rëndë. Pavarësisht këtyre rasteve të përsëritura, shtegu tokësor i rrezikshëm që çon në Filikur mbetet ende i hapur për turistët që, të painformuar për rreziqet, ndërmarrin zbritje të ngjashme me “akrobaci tarzani”.
Thirrja e Shoshës është e drejtpërdrejtë dhe me tone të forta drejtuar institucioneve dhe drejtuesve vendorë: “Zoti Tavo, me gjithë respektin, ndaloni arkivolët me trupat e turistëve nga Himara që ju drejtoni. Sa jetë të tjera duhet të humbin që të mbyllet ky shteg vdekjeprurës?”
Mjekja ngre alarmin edhe ndaj perceptimit që po i jepet turizmit shqiptar përmes videove “ekzotike” që qarkullojnë në rrjete sociale, ku turistë shfaqen duke zbritur me litar nga shkëmbinjtë: “Gazetarë të njohur qeshin me video të tilla. Unë si kirurge traumatologe e di çfarë fundi kanë këto aventura: trauma fatale dhe arkëmorte.”
Në fund të apelit të saj, Shosha kërkon që shtegu i Filikutit të mbyllet menjëherë dhe të lejohet vetëm aksesi detar me mjete të vogla lundruese, deri në ndërtimin e një shkallareje të sigurt nga autoritetet. “Të mos lejojmë që pushimet në Shqipëri të përfundojnë në tragjedi,” shkruan ajo, duke përmbyllur një dëshmi të dhimbshme që fton për reflektim dhe veprim urgjent nga institucionet shtetërore.

