Bashkia propagandon pastëri, por plehrat në Himarë mbeten ende problem

Bashkia propagandon pastëri, por plehrat në Himarë mbeten ende problem
Plehrat në rrugën Himarë-Qeparo

Prej disa ditësh në mediat sociale të Bashkisë Himarë publikohen pamje se si pastrohen mbetjet në qytet dhe fshatrat rreth saj, që në këtë periudhë janë të mbushur me turistë.

Sipas administratës së bashkisë, Himara është një bashki e pastër dhe çdo problem me mbetjet zgjidhet në kohë rekord.

Por realiteti në fakt nuk është kështu. Gjurmon.al udhëtoi këtë fundjavë drejt Himarës për të verfikuar këtë panoramë që jepte bashkia në mediat sociale dhe rezultoi se jo në çdo cep Himara ishte e pastër.

Si në qytet, por edhe përgjatë rrugës që lidh Himarën me pjesën tjetër të jugut, koshat e mbetjeve ishin të tejmbushur dhe plehrat ishin të shpërndara kuturu anës rrugës.

Siç shihet edhe nga pamjet, kjo është situata në rrugën Qeparo-Himarë, ku në njërën anë të rrugës koshat janë të pastër dhe gjithçka duket në rregull e në anën tjetër problemi është prezent.

E njëjtë ishte dhe situata në Porto Palermo ku turistët e shumtë të huaj bashkëjetonin me mbetjet. Problemi i mbetjeve në Himarë në krahasim me vitet e shkuara duket se është përmirësuar, por ende gjen kazanë të tejmbushur dhe plehra në anë të rrugës, që janë panorama më e shëmtuar jo vetëm për turistët.