Zjarri në malin e Dukatit vijon prej disa ditës që të djegë dhjetëra hektare bimësi dhe po rrezikon Parkun Kombëtar të Llogarasë. Edhe gjatë ditës së sotme, forca të shumta zjarrfikëse dhe forca të ushtrisë ishin në terren, por ende nuk është arritur që flakët të vihen nën kontroll.
Gjatë luftës me flakët, tre zjarrfikës janë asfiksuar nga tymi dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Në spital tre zjarrfikësit janë vizituar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili u kujdes që të shpërndante dhe disa foto dhe video për mediat nga kjo vizitë.
Tashmë tre efektivët janë në gjendje të stabiluar mjekësore, por flakët në malin e Dukatit po vijojnë me intesitet. Por kjo nuk e ka ndalur ministrin Vengu që të vijojë vizitën e tij te forcat zjarrfikëse, ku ka shpërndarë dhe pamje që ushtarët përdoren për dekor për videot e tij dhe flakët pas tyre vijojnë të përhapen.
Siç shihet nga pamjet e shpërndara nga Ministria e Mbrojtjes, ministri bashkë me prefektin kanë rreshtuar ushtarët për t’i falenderuar dhe janë kujdesur që flakët të duken sa më shumë teksa bëhen dhe videot për mediat sociale.
Ndërkohë në ndihmë të Shqipërisë për të shuar këtë vatër zjarri kanë ardhur edhe 2 aeroplan Canadair nga Greqia si pjesë e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

