Projektvendimi jo transparentë dhe plot pikëpyetje për dhënien e mbi 800 hektarëve tokë në Kaninë për ndërtimin e një parku fotovoltaik ka shkaktuar debate të shumta në mbledhjen e kësaj të hëne në Këshillin Bashkiak Vlorë.
Administrata e bashkisë u kujdes që ditën e sotme ku projektvendim të mos ishte në rendin e ditës, pasi sipas tyre toka ku do të ndërtohet parku fotovoltaik nuk është në pronësi të bashkisë, por kjo nuk ka ndaluar këshilltarët opozitarë që të kërkojnë shpjegime se si projektvendimi kaloi të gjitha hallkat e tjera juridike.
Tërheqja nga rendi i ditës u paralajmërua një ditë më parë përmes një postimi në rrjetet sociale nga kryetarja e Këshillit Bashkiak të qytetit, Elpiniqi Mërkuri, e cila pretendonte se Bashkia e Vlorës nuk e ka titullin e pronësisë së këtij trualli, por nuk shpjegoi se përse ky projektvendim kaloi pa probleme dhe komisionet në këshill.
Këshilltari i Partisë Demokratike, Atird Hoxha, kundërshtoi ndërtimin e këtij parku fotovoltaik, dhe sipas tij bashkia “ka bërë manovra në trajtimin e kësaj çështje”.
I pranishëm në mbledhje ishte dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, i cili dha një tjetër variant tjetër për këtë projekt, teksa pretendoi se ai nuk parashikon përdorimin e të gjithë sipërfaqes dhe se zona mund të mbetet pjesërisht e lirë për fermerët.
Por pavarësisht kësaj garancie që u dha prej tij, sërish nuk ishte i qartë se çfarë fati do jektë ky projektvendim a do të rikthehet në këshill për votim apo problemi i pronësisë së tokës ekziston.
“Nuk dua të them nëse projektvendimi do të vijë sërish në këshill apo jo, por nëse do të jetë brenda kuadrit ligjor, mund të rikthehet. Ne po kërkojmë toka të pashfrytëzuara për investime të tilla në të ardhmen”, pohoi ai.
Projekti për ndërtimin e parkut fotovoltaik parashikon dhënien e një sipërfaqe prej 830 hektarësh me afat përdorimi 10-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi. Banorët e Kaninës kanë kundërshtuar projektin pasi kjo sipërfaqe përdoret nga qindra blegtorë të zonës dhe është burimi i vetëm i jetesës për ta.
Prej muajsh ky projekt qëndron në zyrat e bashkisë, ku ka pasur në kohë të ndryshme 3 kërkesa për miratim. Këshilli Bashkiak Vlorë është përfshirë disa herë në debate për këtë projekt, pasi bashkia nuk ka bërë transpatencë të plotë të investitorëve, zonës ku do të ndërtohet parku fotovoltatik dhe çfarë shpërblimi do të marrin banorët e zonës për tokën që do t’iu merret.
Debate edhe për çështje të tjera
Jo vetëm projektvendimi për parkunfotovoltaik shkaktoi debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pasi edhe për dy pika të tjera në rendin e ditës u kërkuan sqarime nga këshilltarët opozitarë.
Më konkretisht bëhet fjalë për projektin që lidhej me dhënien me përdorim të disa prej kabinave të plazhit të vjetër të Vlorës, por që mazhoranca socialiste votoi për tërheqjen nga rendi i ditës me arsyetimin se drejtoresha e komanduar e Zyrës Juridike të Bashkisë ende nuk ishte njohur plotësisht me materialin.
Ky projekt parashikon rivializimin e një pjese të zonës në plazhin e vjetër, ayu ku ndodhen disa struktura të tjera në vijën bregdetare dhe transformimin e tyre në një qendër të re biznesi dhe argëtimi.
Ndërkohë në mënyrë të befasishme, pak minuta para mbledhjes, mazhoranca shtoi një pikë tjetër në rendin e ditës që ka të bëjë me projektin që rikthen në qendër të vëmendjes “kompleksin sportiv të premtuar” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përfshirë stadiumin, pallatin e sportit, pishinat dhe një kompleks kullash me funksione banimi.
Fondi është tërhequr zyrtarisht nga projekti dhe tashmë një tjetër aktor shtetëror, Korporata Shqiptare e Investimeve, ka shprehur interes për të marrë projektin në dorë.
Këshilltarët e opozitës kërkuan shpjegime edhe për këtë projekt, ku pohuan se ndërhyrja në këtë zonë mund të prekë prona të banorëve që ndodhen në proces legalizimi, si dhe të sjellë pasoja sociale.

